Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët me rastin e ndarjes nga jeta të ish-Kryeparlamentarit të Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci.
Në një telegram ngushëllimi, presidentja Osmani u shpreh se lajmin për vdekjen e Akademik Dacit e mori me pikëllim të thellë, duke theksuar se ai ishte një personalitet i rrallë që bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional.
“Akademik Daci la gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”, thuhet në telegramin e Presidentes.
Osmani rikujtoi edhe rolin e rëndësishëm të Nexhat Dacit gjatë viteve të nëntëdhjeta, periudhë e vështirë për popullin e Kosovës, kur ai u angazhua fuqishëm për kauzën e lirisë dhe pavarësisë, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Sipas saj, me dije, maturi dhe vizion, Akademik Daci dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës, si dhe në zhvillimin e arsimit të lartë dhe avancimin e shkencës.
“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të”, thekson Osmani.


