Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është kthyer në Kosovë, pas vizitave që pati jashtë vendit, ku edhe zhvilloi një sërë takimesh me lider nga vende të ndryshme të botës.
Ajo ka thënë se është kthyer në Kosovë me bindjen e plotë se Kosova është në rrugë të drejtë.
“Pas një jave përplot takime e diskutime me miq e aleatë të rinj e të vjetër, kthehemi në vendlindje me bindjen e plotë se Kosova është në rrugë të drejtë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Presidentja e Kosovës disa ditë qëndroi në Nju Jork ku zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në margjina të këtyre punimeve Osmani është takuar edhe me presidentin e SHBA-së Joe Biden, pastaj sekretarin amerikan Blinken.
Osmani ka takuar edhe nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike dhe Ndërtim të Paqes, Rosemary DiCarlo.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare.
