Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vizitoi sot ushtrimin shumëkombësh “Defender Europe ‘25”, të organizuar nga Komanda Evropiane e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Kosova luan një rol të dyfishtë – si pjesëmarrëse aktive dhe si nikoqire.
Osmani theksoi rëndësinë strategjike të këtij ushtrimi për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar pjesëmarrjen e rreth 1000 pjesëtarëve të FSK-së, të cilët, siç tha ajo, “janë profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës”.
“Vetëm dy ditë më parë, në SHBA, diskutuam për vizionin e përbashkët për mbrojtjen e Evropës. Sot, ky vizion po zbatohet në terren, në tokën tonë”, u shpreh Presidentja Osmani, duke e cilësuar ushtrimin “Defender Europe ‘25” si një dëshmi konkrete të përkushtimit ndaj paqes, sigurisë dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Ajo theksoi se ky angazhim i Kosovës është një mesazh i qartë për partnerët ndërkombëtarë: “Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s”.
Ushtrimi “Defender Europe ‘25” përfshin forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s, dhe konsiderohet si një nga operacionet më të mëdha ushtarake të këtij viti në Evropë.