Njësia e Krimeve të Rënda dhe Krimet Kibernetike po vazhdon hetimet në bashkëpunim me hetuesit policorë për t’i identifikuar të dyshuarit dhe sigurimin e provave për dy kërcënimet që ka marrë presidentja e vendit, përmes adresës zyrtare, brenda 10 ditëve.
Nga Zyra e Presidentes thanë se nuk janë njoftuar nga autoritetet për ndërmarrjen e ndonjë mase, e disa ditë më parë pati ankesa edhe për trajtim joserioz ndaj këtyre kërcënimeve.
Ndërsa, nga Prokuroria Speciale i thanë RTK-së se në këtë fazë nuk mund të ndajnë më shumë informacion lidhur me zhvillimin e procedurave hetimore.
“Prokurori i rastit tashmë ka takuar dhe autorizuar Njësinë nga Krimet e Rënda dhe Krimet Kibernetike për të mbledhur prova dhe është në koordinim të plotë me hetuesit policorë, në identifikimin e të dyshuarve dhe sigurimin e provave për ndriçimin dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti penal,” kanë thënë ata.
Brenda 10 ditëve, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është kërcënuar dy herë në adresë elektronike. Por, sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, Kastriot Fetahaj, përveç gjurmimit për rastet aktuale, në faqen e Presidentes duhet të implementohen mekanizma gjurmues.
“Nuk ka mekanizëm gjurmues. Kam dhënë disa këshilla si mund të gjurmohet ai person që ka kërcënuar dhe që ato nuk funksionojnë. Duhet të implementohet në faqen e Presidentes mekanizma gjurmues që identifikojnë kërcënuesit,” ka thënë ai.
Institucionet kompetente, sipas Fetahajt, kanë mungesë edhe të ekspertizës profesionale.
“Këtë duhet ta bëjnë autoritetet hetuese, mirëpo ka implikim dhe ndërhyrje në faqen zyrtare të Presidentes. Këto gjëra bëhen nga ekspertë të sigurisë kibernetike, e ne e dimë se si funksionon ligji i prokurimit publik. Përveç mungesës së ekspertizës profesionale, kemi edhe probleme ligjore që nuk na lejojnë me i zgjidhë lehtë këto çështje,” ka thënë ai.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore i ka dënuar ashpër kërcënimet me vdekje të bëra së fundmi ndaj Presidentes së vendit dhe u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile dhe mediave që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara për t’i mbrojtur gratë në politikë dhe për t’u siguruar që ato mund të udhëheqin pa frikë.