Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet e drejtësisë që java për të drejtat e viktimave të krimit të shërbejë jo vetëm si moment reflektimi, por edhe si nxitje e madhe që të gjitha institucionet të punojnë së bashku me përkushtim të shtuar në parandalimin dhe ndëshkimin pakompromis të kryerësve të veprave kundër integritetit seksual dhe çdo vepre tjetër penale.
E para e vendit këtë thirrje e bëri gjatë adresimit në konferencën “Java për të drejtat e viktimave të krimit moment reflektimi i zinxhirit institucional”, që po mbahet në Prishtinë në organizim të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe mbështetur nga ambasada e SHBA-së.
Osmani theksoi se dora e ligjit duhet të bie pamëshirshëm mbi kryerësit e veprave penale dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të kthehet besimi i qytetarëve të organet e drejtësisë.
Presidentja ka adresuar edhe kritika, teksa ka thënë se sistemi i drejtësisë ka dështuar në trajtimin e rasteve të dhunimit dhe krimit të organizuar.
“Gjatë muajve të kaluar vendi ynë është tronditur nga shumë histori shokuese të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale, ku viktima në disa raste ishin edhe të miturat. Ndonëse vetë fakti se kanë ndodhur këto krime është mjaftueshëm i rëndë për ta alarmuar secilin prej nesh, ajo që e bëri akoma më të rëndë këtë situatë ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale. Sot jam këtu për të bërë thirrje publike për një rol shumë më proaktiv të institucioneve tona në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale si dhe gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritetit seksual”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka thënë se në takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë ka adresuar pikërisht çështjen e dështimeve dhe defekteve sistemike që janë vënë në pah nga analizat dhe vlerësimet e bëra tash e disa vjet me radhë.
“Institucionet duhet të punojnë më shumë në parandalimin e këtyre akteve kriminale, të cilat përveç që shkelin ligjin i shkelin edhe vlerat tona themelore, familjare dhe shoqërore. Duhet të punojmë në vetëdijësimin dhe informimin e publikut lidhur me dhunimet dhe ngacmimet seksuale dhe mbi të gjitha se si mund t’i mbrojmë fëmijët tanë dhe gjithë qytetarët tanë“, ka shtuar Osmani.
Ngritja e kapaciteteve institucionale në parandalim, në ndjekje dhe ndëshkim të kryerësve të këtyre veprave të tilla, duke filluar nga qendrat për punë sociale, institucionet arsimore e deri tek policia, prokuroria dhe gjykatat është shumë e rëndësishme sipas presidentes Osmani.
Ajo ka thënë se defekt tjetër në sistemin e drejtësisë është se përdoren standarde të vjetra, duke mos u përdorur koncepti modern, teksa në rastin e dhunimit të 11-vjeçares ka thënë se ka munguar reagimi i duhur i institucioneve. Një qasje e tillë sipas presidentes nuk i mbron viktimat, por i inkurajon kriminelet dhe i trimëron ata për të vazhduar me dhunime.


