Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i cili njëherit është edhe shef i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka njoftuar se ka bërë telefonata urgjente për shkak të përshkallëzimit të situatës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Sipas Osmanit ai këto telefonata i ka bërë nga kryeqyteti i Kazakistanit, për shkak të krizës në Laçin.
“Situata në Korridorin e Laçinit imponoi nevojën që të zhvilloj biseda urgjente, të veçanta telefonike me ministrat e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit dhe Armenisë, Jeyhun Bayramov dhe Ararat Mirzoyan, nga Astana, gjatë turneut aziatik”, ka thënë Osmani.
“Në fokus: Mbrojtja e popullatës vendase, veçanërisht grupeve të prekura, përfshirë gratë dhe fëmijët. Përmes dialogut konstruktiv të stabilizohet situata rreth Korridorit të Laçinit .Të përdoren mekanizmat e OSBE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka shtuar ai.
Më tutje Osmani ka përfunduar duke thënë se “aspektet humanitare dhe nevojat e njerëzve patjetër të jenë në radhë të parë”.


