Politikani opozitar serb, Boban Bogdanoviq, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë me ta kaluar pikën kufitare të Merdarit, ku ishte mbajtur për më se 24 orë edhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq. Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, e ka quajtur ndalim si një tjetër “persekutim të paligjshëm politik të serbëve që nuk pajtohen me regjimin e Aleksandar Vuçiqit”
Politikani opozitar serb, Boban Bogdanoviq, është ndaluar pasditen e të shtunës nga policia kufitare e Serbisë në pikëkalimin kufitar me Kosovën, në Merdar, ka konfirmuar ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.
Ndalimi i Bogdanoviqit ka ndodhur një ditë pasi që në po këtë pikëkalim ishte ndaluar edhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, e cila së fundi është emëruar këshilltare e ministrit Rashiq.
Në deklaratën dhënë KOHËS, Rashiq e ka kualifikuar ndalimin e tij si një persekutim të paligjshëm politik të serbëve që nuk pajtohen me regjimin e Vuçiqit.
“Është ndalur rreth orës 12 dhe e njëjta procedure është… po e bëjnë të njëjtën procedurë si me Rada Trajkoviqin. Me këtë po vazhdon persekutimi joligjor ndaj të gjithë atyre serbëve që nuk mendojnë njëjtë me regjimin në Beograd”, ka thënë Rashiqi per kohen.
Kundër ndalimit, ka reaguar nëpërmjet Twitterit edhe subjekti politik “Përgjigja” që drejtohet nga Bogdanoviqi.
“Boban Bodganiviq, kryetar i Lëvizjes Qytetare Përgjigja sapo u ndalua në Merdar. Hakmarrje për aktivitet politik në Kosovë. Pas Rada Trajkoviqit edhe një represion politik i radhës. Serbia po e shkel Kushtetutën dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj”, thuhet në reagim të këtij subjekti politik.
Bogdanoviqi pati qëndruar në Kosovë nga 14 dhjetori, kur e kishte nënshkruar një marrëveshje me Nismës Qytetare “Liri, Drejtësi, Mbijetesë” të Rashiqit.
Ai e pati akuzuar presidentin serb për mbështetje të grupeve kriminale në veri, të udhëhequra nga Millan Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviqit, të cilët janë në listë të zezë të Thesarit Amerikan dhe të Shërbimit të Jashtëm britanik.
Ndërkaq të shtunën, Trakoviqi ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Twitter se është liruar nga spitali në Prokuple, ku ishte dërguar për trajtim të premten, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore gjatë ndalimit.
Para kësaj, ajo pati thënë për të përditshmen “Danas” se në Merdar po mbahej pa ujë, ushqim dhe ilaçe, teksa ndalimin e kishte kualifikuar si “torturë me motive politike”.