Ditë më parë ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se dy masat e Qeverisë së Kosovës, ajo për reciprocitet për dokumente dhe ajo për targa, ishin në përputhje me faktorin ndërkombëtar.
E këtë e ka përsëritur sot edhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se vendimi i Qeverisë për reciprocitet me Serbinë për letërnjoftimet dhe për pajisjen e qytetarëve serbë të veriut me targat “RKS” ka qenë plotësisht i koordinuar me faktorin ndërkombëtar.
Ajo tutje ka kritikuar partitë opozitare për deklaratat e tyre për kinse moskoordinim me faktorin ndërkombëtar, e që sipas saj më së miri këto deklarata i demantoi ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Mirëpo edhe pas këtyre deklaratave ende mendojnë ndryshe deputetët e opozitës, të cilët thonë se nuk pati koordinim
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka gatishmëri të vendosë reciprocitet të plotë me Serbinë, pasi sipas tij, një gjë të tillë do ta fillonte me reciprocitetin ekonomik.
Tahiri thotë se me përzgjedhjen e masave që po bën Kurti “po krijohet përshtypja se këto masa janë për qëllime instrumentale”.
“Nëse do t’i përmbaheshim reciprocitetit të plotë, ai duhet të zinte vend së pari në fushën e ekonomisë. Po flas për reciprocitet që garanton kushte të barabarta për ndërmarrësit e të dyja vendeve. Kjo ka pasoja direkte ekonomike për të penalizuar prodhuesit tanë. Ky do të ishte ndër hapat më të rëndësishëm. Përderisa nuk ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë, kjo përzgjedhje e masave po na jep përshtypje që këto masa janë qëllime instrumentale”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit të enjten.
Tahiri ka kërkuar nga Qeveria qartësi për rrugën që ka marrë procesi i dialogut dhe nëse ajo po i përmbahet parimeve të saj.
Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka këmbëngulur se s’ka pasur koordinim të duhur me partnerët ndërkombëtarë për çështjen e targave në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftimet.
“Është fakt që koordinim të brendshëm nuk ka pasur dhe duket që as koordinim të duhur me partnerët ndërkombëtarë nuk ka pasur”, ka thënë Hoti në Kuvend.


