Vetëm pesë ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizim të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka ngritur alarmin për pasojat e mundshme të këtij tranzicioni, të cilin e cilëson si të parakohshëm dhe të rrezikshëm për stabilitetin ekonomik të vendit.
Në një deklaratë për media, OEAK-u i bëri thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që ta shtyjë afatin e liberalizimit, për ta përdorur këtë periudhë për të krijuar kushtet që do ta bënin këtë reformë më të pranueshme për bizneset.
“Pa këto aspekte, liberalizimi rrezikon të shkaktojë dëme afatgjata në ekonominë, klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Kosovës”, thuhet në deklaratën e OAEK-ut.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha, konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.
Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.
Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.