Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se është shumë e shqetësuar për përhapjen e sëmundjeve infektive në Gaza pasi qindra mijëra palestinezë mbeten të zhvendosur, me shumë në strehimore dhe objekte shëndetësore të mbipopulluara. Në një deklaratë të premten, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se sëmundjet janë dokumentuar në strehimoret në të gjithë Rripin nga mesi i tetorit deri në mes të dhjetorit, shkruan CNN.
OBSH-ja, mes tjerash tregoi edhe me statistika se për çfarë sëmundje infektive bëhet fjalë duke i publikuar edhe shifrat.
“Rreth 180 mijë raste të infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, 136 mijë e 400 raste të diarresë – gjysma e fëmijëve nën 5 vjeç, 55 mijë e 400 raste me morra dhe zgjebe, 5 mijë e 330 raste të lisë së dhenve, 42 mijë e 700 raste të skuqjes së lëkurës, 4 mijë e 683 raste të sindromës akute të verdhëzës dhe 126 raste me meningjit”, thuhet në raportin e OBSH-së.
“OBSH dhe partnerët po punojnë pa u lodhur për të mbështetur autoritetet shëndetësore për të rritur mbikëqyrjen dhe kontrollin e sëmundjeve duke furnizuar medikamente, komplete testimi për të mbështetur zbulimin dhe reagimin e shpejtë ndaj sëmundjeve infektive si hepatiti, dhe duke u përpjekur të përmirësojnë aksesin në ujë të sigurt, ushqim, higjienë dhe shërbimet sanitare”, thuhet në deklaratë.
Deri më tani, 1.9 milionë palestinezë, që përbëjnë rreth 85% të popullsisë së Gazës, janë zhvendosur që nga 7 tetori. Ndërkohë, vetëm 13 nga 36 spitale mbeten pjesërisht duke funksionuar në të gjithë Gazën, me dy të tjerë që funksionojnë minimalisht.


