Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën “Komandant Leka”, të mërkurën ka nisur dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Seanca ndaj Ibishit u mbyll për publikun pesë minuta pasi nisi.
Gjatë pjesës së hapur të seancës Ibishi tha se si pjesëtar i UÇK-së e mbajti Leka. Ai konfirmoi deklaratat paraprake në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe dëshminë e tij para Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin Latif Gashi, komandant në Zonën Operative të Llapit, u dënua për krime lufte.
Sipas Gjykatës Speciale, dëshmia e Ibishit pritet të zgjasë një apo dy ditë.
Para tij dëshmoi Fadil Geci.
Ibishi ka qenë dëshmitar edhe në gjykimin ndaj Salih Mustafës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.


