Një person, i cili dyshohet se është ekstremist mysliman, është vrarë pasi e ka plagosur me hark një polic që po ruante ambasadën izraelite në Beograd të shtunën.
Rasti është konfirmuar nga ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, duke thënë se sulmi ndodhi rreth orës 11:00, raporton “Novosti”.
“Sot rreth orës 11:00, një person i panjohur, identiteti i të cilit po punohet të zbulohet, ka qëlluar me hark një pjesëtar të xhandarmërisë i cili ishte në shërbimin e sigurisë në ambasadën izraelite dhe e ka goditur në qafë. Në vetëmbrojtje polici qëlloi sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra. Po hetohen motivet”, ka thënë ministri Daçiq.
Polici i plagosur është në gjendje të rëndë.
Ambasada izraelite ka thënë se askush prej personelit nuk u lëndua pasi është ditë pushimi.