Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në fshatin Cerrcë të Istogut.
Policia njoftoi se aksidenti ka ndodhur në mesnatë, ku janë përfshirë dy automjete.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, ekipi mjekësor dhe zjarrfikësit. Tre personat e lënduar janë dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës. Pas trajtimit mjekësor, është konstatuar vdekja e njërit prej tyre. Dy personat e tjerë kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa njëri, për shkak të natyrës së lëndimeve, është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e policisë në Pejë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, derisa rasti është duke u hetuar nga hetuesit e Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

