Një djalë katër vjeçar ka vdekur në Gaza nga uria e shkaktuar nga bllokada totale e Izraelit ndaj Rripit.
Mjekët në Spitalin Arab Baptist al-Ahli konfirmuan se Mohammad Mustafa Yassin, 4 vjeç, vdiq nga uria.
Vdekja e Yassin e çon numrin e palestinezëve që kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me urinë në 58 gjatë 80 ditëve të fundit të rrethimit izraelit.
Bëhet e ditur se 242 persona të tjerë – kryesisht fëmijë dhe të moshuar – kanë vdekur gjithashtu për shkak të mungesës së aksesit në ushqim dhe ilaçe gjatë kësaj periudhe, shkruajnë mediat e huaja.
Izraeli ka bllokuar pothuajse të gjitha ndihmat për të hyrë në Rripin e Gazës që nga fillimi i marsit, duke e lënë pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.1 milionë palestinezësh në prag të urisë, me furnizimet të shteruara.
Zemërimi global është rritur vazhdimisht, krahas kritikave të pashembullta nga aleatët perëndimorë të Izraelit, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Kanadanë dhe Francën.
Të premten, 80 vende lëshuan një deklaratë të përbashkët duke paralajmëruar se Gaza po përballet me “krizën më të keqe humanitare” që nga fillimi i luftës në tetor 2023, me civilët në rrezik të afërt nga uria.
Para rrethimit aktual, grupet e ndihmës ishin në gjendje të dërgonin rreth 600 kamionë në ditë – minimumi që organizatat humanitare thonë se është i nevojshëm për popullsinë e Gazës.
Megjithatë, vetëm 119 kamionë kanë hyrë në enklavë gjatë javës së kaluar pas presionit ndërkombëtar në rritje, sipas një rrjeti të grupeve palestineze të ndihmës.
Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa), ka kritikuar Izraelin për dërgimin e një autokolone të vogël kamionësh që transportonin furnizime jetike në enklavë, duke thënë se ishte “shumë pak” dhe se “të gjithë në Gaza janë të uritur”.
“Për momentin, ajo për të cilën po flasim është një pikë në një det shqetësimi dhe në një det nevojash”, tha Lazzarini.
“Ne jemi përballë një urie të krijuar nga njeriu. Uria po thellohet dhe uria duket se përdoret si një armë lufte.”