Teksa na ndanë vetëm një ditë nga 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj bëri të ditur se sot Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) iu shtuan edhe 31 oficerë të rinj.
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, Mehaj tha se ndihet krenar për FSK-në.
Ai u tha ushtarakëve që tani zgjohesh çdo mëngjes me mision në mendje e zemër për të mbrojtur atdheun, e që është vërtetë fisnike.
“Është vërtetë ndjenjë e mirë t’i përkushtohesh diçkaje më të madhe se vetja. Dhe është e vështirë, por është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni me jetën tuaj. Si oficer të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten tuaj ashtu edhe për grupin që do udhëhiqni”, ka thënë ai.
Ministri Mehaj tha para ushtarëve se partnerët e Kosovës njohin qëndrimet tona dhe e dinë çka besojmë dhe për çka angazhohemi.
“Luftojmë vetëm për paqen, ashtu siç të parët tanë, komandanti legjendar Adem Jashari, dëshmorët dhe veprimtarët e kombit bën para nesh. Jemi shtet i vogël por me zemër të madhe”, ttha mes tjerash Mehaj.


