Teksa ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ishte në sallën e gjyqit, një burrë i cili aktualisht ndodhet në gjendje kritike, i ka vënë flakën vetes para gjykatës së New Yorkut, shkruan BBC.
Burri rreth 37 vjeç e ka lyer veten me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes në parkun përballë gjykatës. Para se t’i vinte flakën vetes, burri ka hedhur letra në ajër, por ende nuk është vërtetuar nëse kishte diçka të shkruar në to.
Policia e New Yorkut ndodhet në vendngjarje dhe nuk dihen ende motivet e këtij akti.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Trumpi u largua nga gjykata dhe nuk ishte në disponim për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Departamenti i Policisë së New Yorkut ka thënë se aktualisht nuk ka shqetësime për sigurinë.
Trumpi akuzohet se u përpoq të mbulonte një pagesë sekrete prej 130 mijë dollarësh për porno-yllin Stormy Daniels përpara se të fitonte zgjedhjet e vitit 2016. Ai u deklarua i pafajshëm për 34 pika të aktakuzës dhe mohon të ketë lidhje me akuzat e tjera.