Të tre liderët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i kanë shkuar kryeministrit Albin Kurti në takim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot po takohet me krerët e partive opozitare për të diskutuar për situatën në veri të Kosovës.
Që të tre liderët e partive opozitare në Kosovë, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit.
Takimi i opozitarëve me Albin Kurtin ka nisur nga ora 8:00.
Ky takim është thirrur pas tensionimit të situatës në veri të vendit me vendimin e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës që të largohen nga to.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës./KosovaNews/


