Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Prizrenit, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale: “Vrasje në tentativë”.
Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Prizrenit.
“Sipas aktakuzës, më 18.04.20245, rreth orës 21:00, në Prizren, në rrugën “Xhevat Berisha”, i pandehuri S.K., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me dashje tenton të privojë nga jeta të dëmtuarin N.B., në atë mënyrë që pas një aksidenti që ka ndodhur me automjete dhe pas një fjalosje të shkurtër lidhur me aksidentin, i pandehuri e nxjerrë një brisk me hapje e llojit “Boker”, me gjatësi tehu 9.5 cm dhe e godet dy herë të dëmtuarin, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore, plagë prerëse dhe shpuese, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të mprehtë”, thuhet në njoftim,.
Po ashtu, i pandehuri, posedonte armën e ftohtë – briskun, pa leje valide, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi posedimin e armëve të ftohta.
Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit që nga 18 prilli.