Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, sot ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti është takuar fshehurazi me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Por, një takim të tillë e kanë mohuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një përgjigje nga Haga është thënë se Trëndafilova është në Kosovë, por se nuk ka zhvilluar takim me Kurtin.
“Është e vërtetë që presidentja Ekaterina Trendafilova ndodhet në Kosovë, sidoqoftë ajo nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.
Përmes një statusi në Facebook, sot Molliqaj ka thënë se pasi që PSD-ja së bashku me qytetarët paralajmëruar protestë kundër konferencës së Trëndafilovës në Kosovë, kryeministri Kurti e ka takuar atë larg syrit të publikut.
Molliqaj ka akuzuar Kurtin që përkundër vullnetit qytetar e ka “ngushëlluar” Trëndafilovën duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitimitetin dhe “ia pranon vizitat e propagandën”. /Lajmi.net/


