Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar me fundin e armëpushimit në Gazë nëse Hamasi nuk i liron pengjet deri të shtunën. Trump mbështet qëndrimin e tij dhe propozon ndryshime të mëdha për Gazën.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se, nëse Hamas nuk liron pengjet izraelite deri të shtunën në mesditë, armëpushimi në Gaza do të përfundojë dhe ushtria izraelite do të rinisë luftimet për të ‘shkatërruar përfundimisht’ Hamasin.
Hamas njoftoi të hënën se nuk do të lirojë tre pengje izraelite, siç ishte planifikuar, duke akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit. Deri më tani, janë liruar 16 pengje izraelite dhe pesë tajlandezë, ndërsa 17 të tjerë mbeten në duart e Hamasi. Izraeli thotë se tetë prej tyre janë të vdekur.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk beson që Hamas do të përmbushë afatin e së shtunës dhe ka paralajmëruar se ‘nëse nuk i lirojnë pengjet, të gjitha opsionet do të jenë të hapura’.
Trump priti në Shtëpinë e Bardhë Mbretin e Jordanisë, Abdullah, i cili njoftoi se vendi i tij do të marrë 2,000 fëmijë të sëmurë nga Gaza për trajtim mjekësor.
Gjatë takimit, Trump përsëriti idenë e tij për të dëbuar palestinezët nga Gaza dhe për ta vendosur zonën nën kontrollin e SHBA-së, duke e shndërruar atë në një destinacion turistik në Mesdhe. Ky propozim është cilësuar nga kritikët si një formë e spastrimit etnik dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar. Mbreti Abdullah, i cili u duk i sikletosur gjatë deklaratave të Trump, tha se vendet arabe po përgatitin një alternativë për situatën në Gaza dhe se kjo do të diskutohet me SHBA-në pas një takimi rajonal në Arabinë Saudite.
E armëpushimi i arritur më 19 janar është duke u zbatuar në faza.
Në fazën e parë, e cila zgjat 42 ditë, Hamas duhet të lirojë 33 pengje, Izraeli të lirojë rreth 1.900 të burgosur palestinezë dhe ndihmat humanitare të hyjnë në Gaza; në fazën e dytë, pritet të arrihet një armëpushim i përhershëm dhe të lirohen të gjithë pengjet e mbetur; në fazën e tretë do të rikthehen trupat e pengjeve të vdekur dhe do të nisë rindërtimi i Gazës.
Megjithatë, deklaratat e Netanyahut dhe kërcënimi i tij për rifillimin e luftës e vënë në rrezik zbatimin e kësaj marrëveshjeje.