Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se forcat izraelite kanë përfunduar rrethimin e qytetit të Gazës dhe ka pranuar se po zhvillohen luftime afër spitalit Al Shifa – nën të cilin Izraeli pretendon se Hamasi ka ndërtuar bazë ushtarake.
Si pjesë e fjalimeve të rregullta, Netanyahu ka thënë se Izraeli ka vrarë “mijëra” luftëtarë të Hamasit, duke i llogaritur edhe ata që ishin pjesë e sulmeve të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, e që lanë të vdekur rreth 1200 njerëz, shkruan BBC.
Ai ka shtuar se Izraeli do të mbajë kontrollin ushtarak të Gazës pas luftës, ngjashëm si në Bregun Perëndimor – të cilin ekspertët e kanë cilësuar si “pushtim ushtarak”.
Netanyahu të shtunën ka bërë homazhe te ushtarët izraelitë të vdekur në luftimet ndaj Hamasit, duke i quajtur heronj dhe ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen morale, financiare e ushtarake.
Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, kanë thënë se shpëtimi i pengjeve dhe “çrrënjosja e Hamasit” janë top-prioritete.
Nga sulmet e pareshtura të Izraelit në Gazë, si kundërpërgjigje e sulmit të Hamasit, janë vrarë mbi 11 mijë palestinezë, e mbi 4 mijë prej tyre janë fëmijë.