Fal Otto John, Prishtina fitoi Kupën e Kosovës për herë të fundit. Nigeriani kishte realizuar golin e vetëm në ndeshjen finale përballë Ballkanit në edicionin 2019/20.
Atë vit Prishtina e mposhti secilin që i doli përballë: Drenicën, Arbërinë, Minatorin dhe Vushtrinë. Bile me këtë të fundit do të ballafaqohen përsëri kryeqytetasit, veçse jo si herën e kaluar në çerekfinale por në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Në nëntë ballafaqimet e fundit kur janë takuar mes vete, ekipi i Prishtinës i ka tetë fitore, ndërsa nuk është mposhtur nga Vushtrria, por kanë barazuar 1-1 në sezonin 2015/16.
Në fakt, Prishtina është kendellur që kur Debatik Curri e morri në menaxhim ekipin sepse ai ka bilanc 100% në tri ndeshjet e fundit. Ballafaqimi i radhës mes “Plisave” dhe vushtrriasve zhvillohet të mërkuren në kuadër të Kupës së Kosovës nga ora 15:00.
Në të njejtën kohë është edhe gjysmëfinalja tjetër ndërmjet Llapit dhe Gjilanit. Këtë sezon në Superligë këto dy ekipe janë takuar katër herë deri më tani.
“Skifterat” kanë dy fitore, një “Legjendat” dhe një herë kanë barazuar. Gjilani është në kërkim të Kupës për 23 vjet më radhë, ndërsa Llapi i Tahir Batatinës synon ta fitoj për të tretën herë rresht.