Janë nënshkruar dy protokolle në Shkup sot në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, të cilat do të mundësojnë krijimin e një tregu të lirë të punës për vendet pjesëmarrëse të kësaj iniciative, raporton “Tanjug”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media në Shkup pas samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me ata të BE-së, ka thënë se këto protokolle do të mundësojnë që më 1 mars të hyjë në fuqi tregu plotësisht i lirë i punës për vendet e “Ballkanit të Hapur”.
“Kemi pasur disa gjëra të rëndësishme, gjithmonë ka detaje të pakëndshme, por s’dua të flas për këtë”, tha Vuçiq. “E kemi pritur me muaj të tërë, dhe më 1 mars më në fund duhet të hujë në fuqi tregu krejtësisht i lirë i punës në vendet e ‘Ballkanit të Hapur’ – Serbi, Maqedoni e Veriut e Shqipëri. Është lajm i madh dhe i rëndësishëm”, tha Vuçiq.


