Gazetari i pavarur Vudi Xhymshiti ka reaguar ndaj një postimi të analistit Lirim Mehmetaj, i cili ka nxitur debat publik lidhur me të kaluarën e familjes së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke kërkuar “sulm” ndaj saj.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Mehmetaj ka shkruar për babanë e Presidentes Osmani, duke pretenduar se ai kishte punuar në Mbrojtjen Popullore të Jugosllavisë, formacion politiko-ushtarak i themeluar në vitin 1945. Mehmetaj kishte përmendur edhe deklarata të një biznesmeni, i cili pohon se e njeh babanë e Presidentes nga ajo periudhë, duke e shoqëruar postimin me tone kritike dhe fyerje.
Pas kësaj, ka ardhur reagimi i gazetarit Vudy Xhymshiti, i cili ka theksuar se nëse, sipas logjikës së Mehmetajt, një presidente duhet të japë llogari publike për biografinë e babait të saj, atëherë i njëjti standard moral duhet të vlejë për të gjithë.
“Nuk po flasim për baltë apo hakmarrje, por për koherencë morale”, ka shkruar Xhymshiti, duke shtuar se pyetjet për trashëgiminë familjare nuk mund të aplikohen në mënyrë selektive.
Ai ka ngritur disa pyetje lidhur me periudhën pasluftës në familjen Mehmetaj, duke përmendur largimin nga Kosova të gruas së vëllait të ndjerë të Mehmetajt, i rënë në luftë, bashkë me djalin e saj. Xhymshiti ka theksuar se nuk po bën akuza, por po shtron pyetje, të cilat, sipas tij, janë legjitime në momentin kur vetë Mehmetaj ka hapur këtë mënyrë të diskursit publik.
“Nuk mund të kërkosh llogari për baballarët e të tjerëve dhe të heshtësh për hijet në oborrin tënd”, ka shkruar ai, duke shtuar se drejtësia morale fillon aty ku mbaron hipokrizia.
Postimi i Plotë:


