Mijëra mjekë dolën në rrugë në të gjithë Gjermaninë, për të ngritur zërin ndaj shtrenjtimit të kostos së jetesës, mes rritjes së pamëshirshme të inflacionit që ka pllakosur shumë vende europiane.
Mjekët në Berlin u mblodhën jashtë selisë së Ministrisë Federale të Shëndetësisë, duke kërkuar për më shumë mbështetje financiare.
Nën temën e tubimit “Kriza e Klinikës”, në këtë grevë mbarëkombëtare morën pjesë rreth 20 shoqata mjekësore, organizata të sigurimeve shëndetësore dhe një mori farmacish.
Organizatorët thanë se kostot në rritje të energjisë, përpjekjet e dështuara të dixhitalizimit dhe mungesa e profesionistëve të aftë i kanë lënë spitalet në kufijtë e tendosjes së pakapërcyeshme.
Buxheti i rreptë i qeverisë vetëm sa ka komplikuar gjendjen e tyre ekonomike dhe mbylljet e përhapura të klinikave mund të kthehen në normalitet nëse situata aktuale nuk ndryshohet, thanë ata.
“Klinikat nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të protestojnë, sepse ne duhet të sigurohemi që të kemi para deri në fund të muajit për të paguar të gjithë stafin dhe qiranë e shtëpisë,” u shpreh Marco Billep, operator klinike.
Të dëshpëruara për të përballuar shpenzimet, mjaft klinika e gjejnë veten të detyruar të përballojnë një ngarkesë të tepërt të pacientit, e cila jo vetëm që rrit në mënyrë dramatike ngarkesën e mjekëve, por gjithashtu ndikon në cilësinë e kujdesit të ofruar për shkak të kohës më pak dhe të kufizuar të konsultimit.
