Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Zvicrën. ‘Dardanët’ dhe helvetët do të ballafaqohen në kuadër të Grupit I të kualifikueseve për EURO 2024.
Pak orë para ndeshjes Kosovë-Zvicër, tashmë kryeqyteti ka nisur të mbushet me tifozë të të dyja përfaqësueseve. Përpos “Dardanëve” që kanë mbushur rrugët, në Prishtinë pritet që të jenë edhe rreth 700 tifozë helvetikë. E pavarësisht se janë rivalë, në sheshet e Prishtinës dy tifozeritë po festojnë bashkë.
Ndeshja Kosovë-Zvicër fillon në orën 20:45.
Ndeshja e veçantë është edhe emocionale për shkak se Zvicra udhëhiqet nga futbollistët me rrënjë prej Kosovës. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë dy nga futbollistët shqiptarë më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Kanë luajtur e luajnë në nivel të lartë në klube, por simpatinë e shqiptarëve do ta kenë shumë gjatë për paraqitjet me përfaqësuese. Madje jo me përfaqësuese të Kosovës apo Shqipërisë, por me përfaqësuesen e Zvicrës. Ishte 22 qershori i vitit 2018, kur Shaqiri e Xhaka bënë krenarë gjithë shqiptarët. Në Kaliningrad të Rusisë po zhvillohej ndeshja e Kupës së Botës mes Serbisë dhe Zvicrës. Serbia kishte kaluar në epërsi 1:0 në minutën e pestë dhe ky rezultat kishte mërzitur gjithë shqiptarët. Në pjesën e dytë në skenë dolën Xhaka e Shaqiri. Xhaka realizoi supergol për 1:1 në minutën e 52-të e më pas Shaqiri shënoi gol “perlë”, pas një kundërsulmi, në minutën e 90-të. Pasoi festa e paparë me shqiponjë, që bëri bujë të jashtëzakonshme. Fitorja 2:1 e Zvicrës është festuar në të gjitha qytetet e Kosovës dhe thuajse në çdo vend ku ka shqiptarë.
