Autoritetet serbe pas ndalimit për shfaqjen e dy filmave shqiptarë “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, të financuar nga Qeveria e Kosovës , tani po vazhdojnë presionin nëpërmjet gjyqësorit. Gjykata e Lartë e Vranjës i ka dërguar ftesë për në seancë gjyqësore të caktuar të mbahet sot, producentit të filmave në fjalë, Gani Veselit.
Këtë e ka konfirmuar aktivistja Ardita Sinani, e cila tha se për keqardhje është fakti se në një linjë me politikat shoviniste të Beogradit është edhe kryetari i Komunës së Preshevës.
“Më 10 qershor këto dy filma ishin planifikuar të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, por që me një vendim arbitrar të Prokurorisë dhe policisë në Bujanoc ishte ndaluar shfaqja e tyre. Në të njëjtën ditë, edhe producenti i filmave, Gani Veseli edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili ishin marrë në pyetje nga policia. Vlen të ju rikujtoj, që paraprakisht, shfaqja e këtyre filmave ishte planifikuar të bëhej në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë. Por, pa ndonjë arsye të bazuar, kryetari i Komunës së Preshevës kishte urdhëruar drejtorinë e Shtëpisë së Kulturës që mos të jap leje për shfaqjen e tyre”, ka shkruar Sinani.
Sipas saj, opinioni tashmë e ka të qartë, se pushteti lokal në Preshevë deri te vendimi për moslejimin e shfaqjes së filmave kishte arritur për shkak të përplasjeve deri në fyerje ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës në çdo paraqitje publike të kryetarit të Komunës.
“E pikërisht këtë, por dhe 77 projekte tjera, Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet Memorandumit të bashkëpunimit me Këshillin Kombëtar Shqiptar kishte vendosur që t’i përkrahë financiarisht, me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të artit, kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës. Paradoksi më i madh qëndron në atë se sikur pushtetit qendror në Beograd, e edhe pushtetit lokal në Preshevë, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës iu përbën pengesë Qeveria e Republikës së Kosovës” ka thënë mes tjerash Sinani.
Ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani shtoi se le të mbetet në ndërgjegjen e pushtetit lokal, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës, “nëse i ka mbetur sado pak ndërgjegje, që në këtë linjë të jenë në të njëjtin mentalitet me politikat shoviniste në Beograd”.
Në këtë rast, Sinani ka shtuar se rastësisht apo jo edhe emrat e filmave dëshmojnë se sa është “I pabesë” pushteti në Beograd dhe se sa “Heshtja vret” e kryetarit të Komunës së Preshevës!
