Vdekja e papritur e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Deçanit dhe sekretarit të përgjithshëm të AAK-së në këtë komunë, Rifat Stojkaj, ka shkaktuar reagime të shumta nga figura politike dhe bashkëpunëtorë të tij, të cilët kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur pikëllimin për humbjen e tij, duke e kujtuar Stojkajn si një anëtar të rëndësishëm të subjektit politik dhe një njeri të përkushtuar në punë.
“Na pikëlloi shumë lajmi për ndarjen e papritur nga jeta të kolegut tonë, Rifat Stojkaj. Rifati ishte pjesë e rëndësishme e Aleancës. Gjithmonë i gatshëm për punë, korrekt e i afërt me njerëzit. Do ta kujtojmë për urtësinë, besnikërinë dhe kontributin që dha ndër vite. Në këto momente të vështira, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Stojkaj, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve tanë. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka shprehur pikëllimin e tij pë humbjen e Rifat Stojkajt.
Edhe ish-deputetja Albana Bytyqi ka reaguar duke e cilësuar vdekjen e tij si humbje të madhe për kolegët dhe bashkëpunëtorët.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të kolegut dhe bashkëpunëtorit tonë, Rifat Stojkaj. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Stojkaj, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën. U prehtë në paqe Rifat”, është shprehur Bytyqi.
Edhe ish-deputeti Bekë Berisha ka reaguar, duke e cilësuar humbjen si të dhimbshme.
“Rahmet të pastë shpirti Rifat Stojkaj, ngushëllime familjes dhe shokëve”, ka shkruar Berisha.
Ndërkohë, ish-deputetja Time Kadrijaj ka theksuar se lajmi për vdekjen e tij ka tronditur të gjithë bashkëpunëtorët.
“Sa e rand me u zgju me një lajmë të tillë të randë. Na tronditi lajmi për ikjen tande të hershme Rifat.
Ngushëllime familjes Stojkaj, kolegëve dhe të gjithëve që e njohën Rifatin!”, ka shkruar Kadrijaj.
Edhe ish-deputeti Burim Ramadani ka reaguar, duke kujtuar kontaktin e fundit me të ndjerin.
“Përherë do të kujtojmë Rifat! Lutem që familja e të afërmit të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen”, ka shkruar Ramadani.
Sipas informatave, Rifat Stojkaj ka humbur jetën në një vetaksident trafiku në fshatin Lloqan të Deçanit. Ngjarja ka lënë të tronditur komunitetin lokal dhe kolegët e tij.


