Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI), Arbërie Nagavci, u ka uruar të hënën të gjithë nxënësve dhe mësuesve vitin e ri shkollor.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Nagavci ka thënë se po fillojnë këtë vit të ri akademik me urimin që të jetë një vit i mbarë dhe i suksesshëm për të gjithë,
Duke theksuar se si Ministri e Arsimit kanë krijuar mundësi të reja të përkrahjes financiare për studentët e të gjitha niveleve të, Nagavci ka deklaruar se me politikat që i kanë ndërmarrë deri tash, janë siguruar që të kemi avancim të integritetit akademik e përmirësim të cilësisë.
Më tutje, Nagavci ka thksuar se kanë finalizuar Projektligjin për Arsimin e lartë i cili, siç ka thënë ajo, garanton cilësi dhe autonomi universitare.
Pas raportimit të disa rasteve të plagjiaturës në UP, Nagavci ka njoftuar se kanë nxjerrë vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL).
Sipas saj, me këtë vendim, obligohen të gjitha IAL-të që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim.
Nagavci, ka njoftuar se kanë përkrahur në veçanti grupet e nënpërfaqësuara si vajzat e gratë që studiojnë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë e matematikën (STEM), komunitetet joshumicë e personat me nevoja të veçanta.
Më tutje, Nagavci ka deklaruar se kanë investuar në zhvillimin e shkencës e inovacionit për komunitetin akademik e më gjerë, ku sipas saj kanë ngritur strukturat kombëtare për përkrahje të pjesëmarrjes e konkurrimit në programin më të madh të kërkimit e inovacionit në Evropë-Horizon Europe.
Gjithashtu, ajo ka theksuar se po punojnë që të lidhin transferin e njohurive nga institucionet e arsimit të lartë në biznese e industri.
Në fund të urimit, Nagavci ka deklaruar se do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm studentët e mësimdhënësit universitarë.