Myslimanët që votuan për Donald Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA shprehin ndjenja të thella zhgënjimi dhe tradhtie pas rinovimit të ndalimit të udhëtimit për shtetas të 12 shteteve me shumicë myslimane.
Ky veprim është parë si një “dhuratë” për mbështetjen që ata i dhanë 78-vjeçarit, duke e konsideruar si një formë ndëshkimi për besnikërinë e tyre.
Në shtetin e Michiganit, ku jeton një numër i madh i arabo-amerikanëve, ky vendim ka shkaktuar reagime të forta.
Wali Altahif, aktivist i njohur i të drejtave të njeriut, e ka cilësuar këtë masë si një “diskriminim selektiv” dhe “dënim kolektiv” ndaj komunitetit që e mbështeti Trumpin.
Ai ka theksuar se ky është një mesazh i qartë se mbështetësit e tij myslimanë janë të padëshiruar.
Ky zhvillim ka ndodhur në një kontekst më të gjerë, ku shumë myslimanë dhe arabo-amerikanë kanë ndjerë zhgënjim nga politika e administratës e presidentit, Joe Biden në lidhje me situatën në Gazë.
Ky zhgënjim ka çuar në një ndryshim të dukshëm në preferencat e tyre politike, duke i dhënë mbështetje Trumpit në zgjedhjet e fundit, përkundër historisë së tij të politikave dhe retorikës që shpesh janë cilësuar si islamofobike.
Ky zhvillim tregon një ndarje të thellë në mesin e komunitetit mysliman në SHBA, i cili tani po përballet me pasojat e mbështetjes së tij për një kandidat që ka marrë vendime që ata i konsiderojnë si dëm për interesat dhe sigurinë e tyre.