KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » Murtaja e Zezë nuk e shkatërroi Britaninë – ajo e shpëtoi
Botë

Murtaja e Zezë nuk e shkatërroi Britaninë – ajo e shpëtoi

Kosova News
Kosova News 12:02 -25/05/2025
Shpërndaje
Shpërndaje

Pas shkatërrimit të shkaktuar nga Murtaja e Madhe, erdhi një valë prosperiteti dhe inovacioni – për të mos përmendur lindjen e klasës së mesme.

Nga: Helen Carr /  The Daily Telegraph

Rreth pranverës së vitit 1348, bakteria më vdekjeprurëse e njohur në historinë njerëzore, u shfaq në brigjet e Evropës. Yersinia pestis u zbulua fillimisht te marmotët në tokat e gjera e të pabanuara rreth asaj që sot është Kirgistani. Kur hordhitë mongole kaluan me vrull nëpër rajon, në shekullin XIII, ata gjuanin marmotët, të pavetëdijshëm se gjahu i tyre ishte i mbushur me infeksione vdekjeprurëse; pastaj, të veshur me lëkurë marmoti dhe duke mbartur thasë me drithëra që tërhiqnin pas vetes minjtë – të cilët gjithashtu infektoheshin – mongolët vazhduan drejt Perëndimit. Një rrëfim hiperbolik përshkruan trupa të infektuar të mongolëve të hedhur mbi muret e qytetit të Kafës, pranë Gjenovës, ndërsa qyteti rrethohej nga Hordhia e Artë – një shembull i hershëm i luftës biologjike.

Sëmundja u quajt “Murtaja e Zezë” nga viktorianët, për shkak të buboneve të zeza septike që prodhonte, por ata që e përjetuan e quanin “Murtaja e Madhe”, “Vdekja e Madhe”, “Vdekja” ose “Sëmundja e rëndë”. Çfarëdo emri që t’i vihet, ishte padyshim një tragjedi njerëzore, me gjysmën e popullsisë të zhdukur – nga Deti i Zi deri në Evropën Veriore. Vala e parë e infeksionit e vitit 1348 ishte më e egra, por valë të tjera vazhduan deri në shekullin XVII. Në mendësinë mesjetare, ishte dënim biblik: zemërimi i Zotit si ndëshkim për mëkatet e njerëzimit – disa prej tyre aq prozaike sa veshja me rroba të kota të tepërta.

Spektri i Murtajës së Zezë ka mbetur i gjallë në imagjinatën kolektive ndër shekuj, duke na lënë një tablo të shekullit XIV si një epokë pa shpresë. Ne e imagjinojmë si dekada apokaliptike, me të mbijetuar të zhytur në dëshpërim, me gropa me kufoma të viktimave të murtajës. Megjithatë, ndonëse ndikimi ishte padyshim i tmerrshëm, reagimi afatgjatë ishte, në shumë mënyra, pozitiv dhe riformësoi botën në mënyra përparimtare. Shekulli XIV është cilësuar madje si një “Epokë e Artë” e inovacionit dhe zhvillimit njerëzor.

Reagimi fillestar ndaj murtajës ishte hutimi. Shumë nga të mbijetuarit u kapluan nga trishtimi dhe nuk arrinin të kuptonin botën e çuditshme ku kishin mbetur. Merrni si shembull një letër të dijetarit humanist italian, Francis Petrarca, drejtuar vëllait të tij, Gherardo, një murg në manastirin Montrieu në jug të Francës – dhe i vetmi i mbijetuar (bashkë me qenin) nga një bashkësi prej 35 burrash. “Çfarë të bëjmë tani, vëlla?” – shkruan Petrarca. “Tani që kemi humbur pothuajse gjithçka dhe nuk kemi gjetur prehje. Kur mund ta presim atë? Ku ta kërkojmë? Koha, siç thuhet, na ka rrëshqitur nga duart”.

Megjithatë, Murtaja e Zezë është një studim interesant mbi njerëzimin përballë katastrofës, sepse atje ku gjithçka u humb, qëndresa njerëzore u shfaq me bollëk. Duke marrë parasysh rënien dramatike të popullsisë, mund të mendohej se do të pasonte një krizë ekonomike dhe një depresion mesjetar. Por, dëshmitë sugjerojnë të kundërtën: të mbijetuarit e Murtajës së Zezë panë një rritje prej 30 për qind të të ardhurave të tyre në krahasim me vitet para murtajës. Siç shkroi historiani James Belich, “ekspertët tani bien dakord që pagat reale u rritën pas Murtajës së Zezë, të paktën nga viti 1375, dhe mbetën më të larta se përpara saj deri rreth vitit 1500”.

Bubonet biblike: Një ilustrim mesjetar që tregon njerëz me nyje limfatike të ënjtura – një simptomë e murtajës

Në një botë që po rikuperohej, njerëzit arritën të përparonin si në aspektin shoqëror ashtu edhe në atë ekonomik. Për shekuj me radhë, bujkrobëria kishte mbajtur të lidhura familje të tëra me një zotërues feudal, duke punuar tokën për tri ditë në javë me qira për pronat e tyre të vogla. Mbjellja, lërimi dhe korrja ishin thelbësore për të mbajtur në funksion ekonominë e Anglisë. Por, punëtorët tani kërkonin paga. Puna e kualifikuar u bë shumë e kërkuar, gjë që bëri që pagat të rriteshin.

Me më pak fuqi punëtore për të përpunuar tokën, edhe teknologjia duhej të përparonte për të kursyer kohë dhe energji. Hekuri zëvendësoi drurin: drapri tradicional u zëvendësua nga kosa e rëndë e cila mund të priste të korrat shumë më shpejt. Energjia e erës dhe e ujit u shfrytëzua përmes mullinjve me erë dhe ujë. Si rezultat, njerëzit kaluan nga bluarja vetjake e grurit në përdorimin e “energjisë së gjelbër” për të prodhuar miell. Buka e përditshme tani prodhohej me bollëk – një lehtësim për shumëkënd pas urisë së madhe të fundit të viteve 1310.

Pavarësisht besimit popullor, struktura shoqërore e Anglisë në fund të shekullit XIV ishte larg nga një idil rural i izoluar. Qytetet gumëzhinin nga njerëz që kërkonin punë si tregtarë, punëtorë apo zejtarë të aftë. Shumë vetë lanë fshatrat e tyre të izoluara për t’iu bashkuar forcës punëtore në rritje. Londra ishte destinacioni më i preferuar për ata që donin të mësonin një zanat, me zonën përreth Katedrales së Shën Palit që shërbente si qendër për esnafet dhe zejtarët: gurpunues, lëkurëpunues, farkëtarë dhe marangozë. Londra kishte një popullsi prej rreth 40 mijë vetash – gjysma e madhësisë së saj përpara murtajës – por, krahasuar me shumë zona rurale të mbetura krejtësisht të braktisura, ishte ende një qendër e madhe urbane.

Bizneset familjare, pasi kishin humbur të afërmit e tyre, u detyruan të sillnin të jashtëm dhe t’i trajnonin si çirakë: kjo i ofroi një brezi të ri të djemve dhe vajzave një edukim të ri si punëtorë të kualifikuar, shpesh në zanate të reja. Një nga përparimet kryesore të epokës, për shembull, ishte horologjia – prodhimi i orëve. Para murtajës, koha përcaktohej përmes kambanave të kishës. Tani, në gjysmën e dytë të shekullit XIV, “horologu” u bë një profesion i ri specialist, me orë që vendoseshin në kullat e kishave në të gjithë mbretërinë për të ndjekur ritmin e ditës së punës.

Me më shumë njerëz që vërshonin në qytete, konsumimi i alkoolit në Angli filloi të rritej. Birra [ale] konsumohej në një shkallë shumë më të lartë se më parë. Puna e përgatitjes së saj iu lihej grave. Ato tradicionalisht kishin luajtur këtë rol, por në përmasa të kufizuara: këto gra, të njohura si prodhuese birrash [brewsters], shisnin birrë të bërë në shtëpi brenda famullisë, shpesh fjalë për fjalë nga dera e tyre. Por, me këtë etje kolektive në rritje, kërkohej më shumë birrë dhe gratë lanë shtëpitë për të punuar në punishte birre ku prodhimi bëhej në sasi të mëdha për të furnizuar tavernat e shumta të reja që po shfaqeshin.

Dehja nuk ishte e vetmja tërheqje: birra kishte edhe përfitime ushqimore dhe nga fundi i shekullit XIV ajo ishte bërë pjesë e rëndësishme e dietës së përditshme, e konsumuar gjatë gjithë ditës si nga të varfrit ashtu edhe nga elita. Stereotipi i stilit [trupës komike] Monty Python për “fshatarin” e viteve të murtajës është karikaturë, jo realitet. Njeriu i thjeshtë tani ishte më mirë i veshur dhe më mirë i ushqyer. Ushqimet dhe pijet luksoze u bënë shumë të kërkuara, po ashtu mëndafshi, erëzat, lëkurat dhe dylli – mallra që dikur ishin të paimagjinueshme për njeriun e zakonshëm. Njerëzit nuk ishin më fatalistë për fatin e tyre; ata filluan të sfidonin kufijtë e klasave shoqërore”.

Nuk zgjati shumë para se kjo liri e sapogjetur të sfidohej. Te [poema] Bujku Pjetër [Piers Plowman, rreth viteve 1370], një eksplorim alegorik nga William Langland mbi shoqërinë angleze pas murtajës, ai ankohet se punëtorët janë mësuar me ushqime dhe pije më të mira, dhe kjo po shkakton probleme ekonomike: “Ai duhet të merret argat me pagesë të lartë, përndryshe do të shajë, / dhe do të rënkojë për kohën”. Inflacioni i pagave arriti shpejt nivele të papërballueshme: u konsiderua i nevojshëm një ligj i ri për të rregulluar koston e punës. U quajt Ordinanca e Punëtorëve [Ordinance of Labourers] dhe kishte si objektiv ata që “nuk do të punojnë përveç nëse marrin paga më të larta”. Burrat nën moshën 60 vjeç u detyruan, nën kërcënimin e burgimit, të punonin për të njëjtat paga që kishin pranuar para vitit 1346.

Por, nuk pati sukses. Kufizimi i pagave ishte i vështirë për t’u zbatuar për shkak të valëve të vazhdueshme të murtajës, të cilat e pakësonin fuqinë punëtore sërish e sërish. Pagat vazhduan të rriteshin – dhe po ashtu edhe përpjekjet për përmirësim personal. Nëse njerëzit nuk mund të përballonin luksin, e imitonin atë: kopje të stolive dhe arit shiteshin për t’i dhënë bartësit një pamje prestigji – dëshira për të dukur më i pasur është një tipar që përsëritet deri në ditët e sotme.

Vizion apokaliptik: Detaj nga një afresk i shekullit XV mbi jetën e Shën Sebastianit

Kjo bëri që elitat të bien në panik: u zbatuan ligje të pakësimit të shpenzimeve të cilat ndalonin klasat e ulëta të vishnin disa lloje gëzofësh, si gëzofi i shqarthit, ose ngjyrat e purpurta dhe kadifenë e kaltër. Megjithatë, një klasë e re tregtarësh vazhdoi të rritej dhe të pasurohej. Hendeku mes elitës së pasur të tokës – shumë prej të cilëve ishin pasardhës të atyre që kishin ardhur me Pushtimin Norman katër shekuj më parë – dhe atyre që fitonin pasurinë përmes tregtisë filloi të ngushtohej.

Le të vazhdojmë në perspektivë: shekulli XIV nuk ishte plotësisht një “Epokë e Artë”. Çmimi i përparimeve të përmendura më sipër ishte vetë jeta njerëzore. Dhe, njerëzit vazhduan të jetonin nën frikën e vazhdueshme të murtajës: një variant agresiv tjetër u shfaq në vitin 1361 dhe ai më i famshmi pasues në vitin 1665. Për një shoqëri e përshkuar nga frika e vdekjes së menjëhershme, bota mbeti e errët dhe e frikshme.

Megjithatë, për herë të parë, hierarkia shoqërore tradicionale e Anglisë u zbeh. Bujkrobëria pushoi së ekzistuari. Klasa e mesme u rrit dhe u bë grupi më i madh demografik në mbretëri. Përmirësimi shoqëror u bë një mundësi e përhapur dhe prejardhja nga lindja nuk e kufizonte më në mënyrë absolute fatin në jetë. Paramendimet e sotme popullore për atë epoke ofrojnë një pamje të errët, apokaliptike dhe të pashpresë, kur në realitet ishte një periudhë e begatisë dhe e rritjes. Të detyruar të kuptonin botën siç ishte tani, njerëzit u bënë të guximshëm dhe novatorë; ata iu drejtuan dritës.

Gjithashtu lexoni:

Një djalë 4-vjeçar vdes nga uria në Gaza për shkak të bllokadës izraelite

Gjatë inaugurimit të luftanijes u dëmtua një pjesë e saj para syve të Kim Jong-Un, Koreja e Veriut fillon me arrestimin e  përgjegjësve

Zelensky: Heshtja e Amerikës vetëm sa e inkurajon Putinin

Ushtria izraelite vendos të gjithë brigadën e këmbësorisë në Gaza

Politikani izraelit largohet me forcë nga parlamenti pasi foli për krimet në Gaza

Kosova News 25/05/2025 25/05/2025
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
9°C
Pristina
light rain
9° _ 8°
91%
1 km/h
Sun
14 °C
Mon
18 °C
Tue
18 °C
Wed
19 °C
Thu
17 °C

Lajmet e Fundit

Sindikata e kompanisë “Pastrimi”: Greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave
17:43 -25/05/2025
Një djalë 4-vjeçar vdes nga uria në Gaza për shkak të bllokadës izraelite
17:19 -25/05/2025
Fabregas i vendosur të qëndrojë tek Como, spanjolli refuzon gjigantin italian
17:15 -25/05/2025
PK: I mituri serb ka pranuar se rrobat e tij ishin ngjyrosur në të kuqe me marker
16:53 -25/05/2025
Haradinaj, Kurtit: Albin, mos e lë Albulenën në baltë
14:40 -25/05/2025
Follow US
© KOSOVANEWS -TË GJITHA TË DREJTAT E REZERVUARA

[email protected]

[email protected]

046 100 004


Made by: V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?