Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati pret reflektim të partive opozitare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Shpresoj se pas takimeve të udhëheqësve të opozitës me presidenten dje, të kenë reflektuar dhe ta marrin parasysh seriozitetin e situatës që kuvendi të konstituohet, të themelohen institucionet e reja dhe të vazhdojë qeverisja e vendit.
Ne kemi qeveri në detyrë. Problemi është që nuk kemi kuvend të konstituar dhe kësisoj ka mangësi dhe mungesa që dita – ditës po vërehen, duke filluar nga marrëveshjet ndërkombëtare që nuk janë ratifikuar vitin e kaluar, pastaj me planin e rritjes të BE-së, i cili pret nënshkrim dhe ratifikim këtë vit.
Për më tepër, ka edhe institucione të tjera, siç është Televizioni publik, për të cilin miratimi i buxhetit duhet të bëhet nga Komisioni për buxhet si edhe situata të tjera, të cilat kërkojnë rishikimin e buxhetit. Të gjitha këto mbeten peng konstituimit të kuvendit”, tha Murati.