Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ngritur akuza serioze ndaj Komunës së Prishtinës lidhur me projektin për rregullimin e Sheshit “Xhorxh Bush”, duke e cilësuar procesin e tenderimit dhe nënshkrimin e kontratës në vlerë prej 18 milionë eurosh si të paligjshëm dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas një postimi të bërë nga ministri Murati në rrjetet sociale, Komuna e Prishtinës ka shpallur tenderin dhe ka nënshkruar kontratën pa pasur fondet e nevojshme të ndara në buxhetin e miratuar, çka përbën shkelje të dispozitave të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Ligjit për Prokurim Publik.
Murati ka theksuar se në Deklaratën e Disponueshmërisë së Fondeve, të nënshkruar në vitin 2024 nga kryetari i komunës dhe zyrtari kryesor financiar, figuron shuma prej 18.4 milionë euro si fonde të buxhetuara për këtë projekt. Megjithatë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në kodin buxhetor përkatës kanë qenë të alokuara vetëm 1.89 milionë euro, apo rreth një e dhjeta e shumës së përgjithshme.
“Komuna ka nisur procedurën e prokurimit me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro. Kontrata është nënshkruar sivjet, ndonëse buxheti i ri i komunës ende nuk është miratuar nga Kuvendi për t’u integruar në ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025,” ka shkruar Murati.
Ai shtoi se ligji aktual i buxhetit nuk parasheh fare ndarje për këtë projekt, që sipas tij, përbën një shkelje flagrante të ligjit dhe rrezikon seriozisht qëndrueshmërinë financiare të komunës.
Murati ka bërë thirrje që organet kompetente të drejtësisë të ndërhyjnë dhe të hetojnë rastin me seriozitetin e nevojshëm.