Për shkak të mungesës së prokurorit Arjan Xhema dhe të akuzuarit për sulm, Fitim Shala, ka dështuar të mbahet gjykimi ku i akuzuari tjetër, Dion Rashica, po akuzohet për fajde, sulm, lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje.
Prokurori Xhema në lidhje me mungesën e tij, e ka njoftuar gjykatën se është në pushim vjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, për të akuzuarin Fitim Shala, gjyqtari i rastit Xhemajl Jusufi njoftoi se në shkresat e lëndës nuk ka të dhëna nëse për të njëjtin është kërkuar verifikim adrese nga policia.
Në seancë nuk ishte prezent as i dëmtuari Shefki Hyseni, i cili është paraqitur në objektin e gjykatës, mirëpo ka thënë se nuk do të qëndrojë në këtë seancë.
Ndryshe, i pranishëm në seancën e së martës ishte i akuzuari Dion Rashica, me mbrojtësin e tij, avokatin Kadri Osaj
Për shkak se nuk u përmbushën kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për datën 31 maj 2023.
Gjyqtari Jusufi njoftoi se prokurori i rastit dhe i dëmtuari Shefki Hyseni për seancën e radhës do të ftohen në mënyrë të rregullt, ndërsa për të akuzuarin Fitim Shala, do të kërkohet verifikim adrese nga policia.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër Dion Rashicës dhe Fitim Shalës më 12 prill 2022.
Në pikën e parë të dispozitivit, i akuzuari Dion Rashica akuzohet se në janar 2022, në kafenenë “Enza” në Vushtrri, ka kërkuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të borxhit që i dëmtuari Shefki Hyseni i kishte të njëjtit, në shumën prej 7 mijë euro, e ku i pandehuri vazhdimisht i kërkonte paratë, dhe kur i dëmtuari nuk ia ka sjellë në datën e caktuar, atëherë i pandehuri Dion Rashica i thotë: “nga sot borxhin e ke dyfish, prej 17 mijë euro”, duke e kërcënuar se “ose ke me i bërë këto para, ose ke me i paguar 170 mijë euro për borxhin e njëjtë”.
Me këtë ka kryer veprën penale “Fajdeja” neni 331 par.1 të KPRK-së.
Tutje, në pikën e dytë të dispozitivit, Dion Rashica dhe Fitim Shala akuzohen se më 28 mars 2022, në shtëpinë e të dëmtuarit Shefki Hyseni në Mitrovicë, së bashku kanë sulmuar të dëmtuarin Hyseni.
Sipas aktakuzës, të pandehurit pasi që kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit për ti kërkuar paratë në shumën prej 7 mijë euro, të cilat i dëmtuari ia kishte borxh të akuzuarit Dion Rashica, e fillimisht ishin fyer me fjalë dhe pastaj janë shtyer me duar, ku i pandehuri Fitim Shala e ka sulmuar fizikisht me dorë dhe pastaj e mban të dëmtuarin, ndërsa i pandehuri Dion Rashica e sulmon të njëjtin duke e goditë me kondak të armës në kokë.
Me këtë në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e i akuzuari Dion Rashica në bashkim real me veprën penale si nën pikën e parë të dispozitivit.
Kurse, në pikën e tretë të dispozitivit, Dion Rashica po akuzohet se në shtëpinë e të dëmtuarit, të akuzuarit së bashku i kanë shkaktuar lëndim trupor të njëjtit, ashtu që pas shkëmbimit të fjalëve fyese mes të pandehurit Dion Rashica dhe të dëmtuarit Shefki Hyseni, atëherë i pandehuri Dion nxjerrë armën dhe me të e godet në kokë të dëmtuarin me ç’rast edhe i shkakton lëndim të lehtë trupor.
Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, e në bashkim real me veprat penale si nën pikën e parë dhe të dytë të dispozitivit.
Në pikën e katërt të dispozitivit, i akuzuari Dion Rashica po akuzohet se prej datës së pacaktuar e gjerë më 28 mars 2022, në shtëpinë e tij në fshatin Studime e Poshtme, komuna e Vushtrrisë, ka mbajtë në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Rashica, pasi ka dalë nga shtëpia e të dëmtuarit Shefki Hyseni, ka shkuar në Vushtrri, ka fshehë armën dhe kur ka shkuar në polici armën nuk e ka pasur me vete, e po ashtu edhe pas bastisjes së policisë në shtëpinë e të pandehurit Dion, arma nuk është gjetur.
Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së, e në bashkim real me veprat penale si nën pikaën e parë, të dytë dhe të tretë të dispozitivit.


