Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas numërimit të votave nga diaspora në qarkun e Tiranës, deklaroi se partia që ai drejton ka siguruar 2 mandate deputeti në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Shehaj deklaron “e pamundura, ndodhi”.
“Pavarësisht frikës së mbjellë natë për natë, pavarësisht një sistemi të ngritur për të mos lënë askënd të ri të ngjitet, pavarësisht propagandës, pushtetit dhe establishmentit. Luftuam, u përballëm dhe ia dolëm. Dy mandate. 50 mijë qytetarë që na besuan. Pa premtime boshe. Pa lojëra. Pa pazare. Pa “më jep, të të jap””, shkruan Shehaj.
Sipas tij, partia Mundësia ka thyer një mur që dukej i pakalueshëm dhe është opozita e shekullit të 21.
“Por puna e vërtetë fillon tani. Ne do të jemi aty, me zë, me fakte, me qëndresë. Për çdo qytetar që na dha votën. Për çdo shqiptar që pret më shumë. Për të gjithë ata që na kanë ndjekur nga larg, që kanë shpresuar, por nuk kanë besuar plotësisht se ndryshimi ishte i mundur. Nuk ka më kohë për të qëndruar spektatorë apo për të pritur një shpëtimtar. Ejani! Bashkohuni me ne! Me mbështetjen tuaj, çdo gjë është e mundur. Partia Mundësia është opozita e shekullit 21. E ndershme. E vërtetë. Moderne. E vendosur. Një opozitë që sheh nga e ardhmja, një e ardhme që na përfshin të gjithëve”, thekson ai.
Shehaj gjithashtu falënderoi votuesit dhe të gjithë ata që kanë mbështetur Partinë Mundësia.
“Faleminderit nga zemra çdo votuesi, vëzhguesi, koordinatori, kandidati, kandidati nga diaspora, ambasadorëve të Partisë Mundësia, pjesëmarrësve në takime dhe të gjithë atyre që na kanë mbështetur, haptazi apo në heshtje. Faleminderit të gjithëve!”, shkruan Shehaj.