Jurgen Klopp ka hedhur dritë mbi arsyet pse vendosi të mos e pranojë detyrën e trajnerit të kombëtares gjermane në vitin 2023.
Trajneri 58-vjeçar sqaroi se vendimi i tij nuk kishte të bënte me vetë pozicionin, por me përkushtimin që kishte ndaj Liverpoolit dhe lidhjet e forta që kishte ndërtuar me skuadrën dhe stafin.
“Sezoni i kaluar nuk shkoi aq mirë për Liverpoolin dhe në verën pas atij sezoni, Gjermania po kërkonte një trajner të ri”, tha Klopp.
“Unë mund të kisha thënë ‘po’, sepse ndoshta do të kishte qenë më mirë të bëja diçka ndryshe”, shtoi ai, duke shpjeguar më tej arsyet e vendimit të tij.
“Nuk doja. Dhe vendimi nuk kishte të bënte me postin e trajnerit të kombëtares në vetvete. Nuk mund të largohesha nga Liverpool në atë mënyrë”.
“Ekzistonte një skuadër, kishte njerëz me të cilët kisha ndërtuar marrëdhënie,” u shpreh Klopp, duke zbuluar se donte të largohej nga ‘Anfield’ në një mënyrë të denjë.

“Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. Dhe e arritëm këtë”, përfundoi ai.
Vendimi i Klopp për të vënë përparësi përgjegjësive të tij tek Liverpool dhe për të ruajtur një ndjenjë respekti me klubin dhe stafin e tij, tregon profesionalizmin dhe përkushtimin e tij ndaj skuadrave që drejton.