Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka akuzuar partitë e tjera për bllokadën e krijuar në Kuvend, duke theksuar se qëllimi i tyre është të pengojnë formimin e Qeverisë Kurti.
“Qëllimet e PDK-së dhe të partive opozitare janë që të bllokohet Kuvendi me qëllim që të parandalohet formimi i Qeverisë Kurti”, tha Muja pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të enjten.
Ai sqaroi se në vazhdimin e seancës u votua vetëm procedura për administrimin e votimit të fshehtë dhe jo për një kandidat specifik.
Po ashtu, Muja kritikoi opozitën për deklaratat e tyre në lidhje me deputeten Albulena Haxhiu, duke theksuar se shumë nga ata që sot shfaqin dilema për Haxhiun më parë kanë mbështetur çështje të diskutueshme.
“Ne dëgjojmë shumë deklarata të opozitës lidhur me dilemat për zonjën Albulena Haxhiu, por shumë deputetë të opozitës nuk kishin fare dilema kur votuan për Zajednicën, për amnistimin e kriminelëve serbë në veri, për demarkacionin apo për Gjykatën Speciale. Albulena Haxhiu nuk e ka votuar asnjërën prej tyre”, theksoi Muja