Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë, se ka arritur të heqë nga rendi i ditës anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).
Lajmi se Serbia ka arritur t’i bindë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, që kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të mos jetë në agjendën e takimit të sotëm të Komitetit të Ministrave në Strasburg, është hedhur poshtë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Kosova nuk ka qenë e paraparë në agjendën e sotme të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, në nivel të ambasadorëve.
Ahmeti në përgjigje për Radio Kosovën tha se kjo është dezinformatë e radhës nga Serbia.
Gjatë ditës është raportuar nga media të ndryshme në Serbi, kinse ky vend ka bllokuar përfshirjen e Kosovës në agjendën e KE-së.
Megjithatë, nga zyrtarë të Këshilli i Evropës kanë thënë se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale.
Kërkesën zyrtare për pranim në Këshillin e Evropës, Kosova e ka dorëzuar me 12 maj të këtij viti.
Ndërkohë sot ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadorin e Irlandës në Këshillin e Evropës, Breifne O’Reilly.
Për këtë takim, ku u fol mbi angazhimet e Kosovës drejt synimit të saj për anëtarësim në Këshill të Evropës, ka njoftuar faqja zyrtare e Irlandës për KE.
“Këtë mëngjes Ambasadori O’Reilly është takuar me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schëarz për të diskutuar angazhimet e saj me Këshillin e Evropës”.