“Brenda muajit do të krijohet Grupi i Miqësisë mes Parlamentit të Estonisë dhe Kuvendit të Kosovës”. Kështu ka deklaruar Kristi Enn Vaga, deputet i Parlamentit estonez dhe njëherësh anëtar i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian në këtë shtet, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Deputeti estonez po ashtu ka thënë se Tallini zyrtar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën me përvojën e saj edhe në fushën e digjitalizimit.
Këto komente deputeti Enn Vaga i bëri në takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili po qëndron në Estoni.
Ahmeti ka zhvilluar takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Parlamentin estonez në Tallinn, njofton MPJD.
Në takimin e parë, zëvendësministri Ahmeti, është pritur nga nënsekretarja e Shtetit, Minna-Liina Lind u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre. Po ashtu, u bisedua për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Me këtë rast, zëvendësministri Ahmeti, falënderoi nënsekretaren Lind, për mbështetjen e Estonisë në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
Tema të tjera që u diskutuan ishin zhvillimet rajonale si dhe agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe ndikimi që ka pasur kjo tek të dyja vendet.
Kujtojmë se një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, kanë qëndruar në Tallinn të Estonisë, për të marrin pjesë në Samitin Global të 8-të të Open Government Partnership.



