Përgatiti: Alban Begolli
Komisioni Qendror Zgjedhor i Moldavisë ka ndaluar partinë pro-ruse “Zemra e Moldavisë” të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të kësaj fundjave, mes akuzave të shumta për ndërhyrje ruse në procesin zgjedhor, shkruan euronews, transmeton KosovaNews
Vendimi vjen vetëm pak ditë para votimit të së dielës, i cili shihet si përcaktues për drejtimin e ardhshëm të vendit – nëse Moldavia, ish-republikë sovjetike dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit apo do të rikthehet në orbitën e Moskës

Vendimi i gjykatës dhe akuzat për financim të paligjshëm
Komisioni zgjedhor bazoi vendimin në një aktgjykim të Gjykatës së Apelit në Chișinău, e cila një ditë më herët kishte pezulluar aktivitetet e partisë për 12 muaj.
Kërkesa për këtë ndalim ishte bërë nga Ministria e Drejtësisë pas bastisjeve ndaj disa anëtarëve të partisë, ku dolën akuza për blerje votash, financim të paligjshëm dhe pastrim parash.
Në njoftimin e Komisionit thuhej se të gjitha emrat e propozuar nga “Zemra e Moldavisë” do të hiqen nga lista e kandidatëve të Bllokut Elektoral Patriotik (BEP), një aleancë e afërt me Rusinë, dhe këtij blloku i janë dhënë 24 orë për të përshtatur listën sipas ligjit zgjedhor.

Pushteti në rrezik dhe reagimi i opozitës
Partia në pushtet, Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), e cila ka shumicën në parlament që nga viti 2021, rrezikon ta humbasë atë përballë disa kundërshtarëve të linjës pro-ruse, ndërsa në krahun pro-evropian mungojnë aleatë të fortë.
Ndërkohë, BEP deklaron se synon “miqësi me Rusinë”, neutralitet të përhershëm dhe “një shtet që u shërben qytetarëve, jo zyrtarëve”.

Reagimi i Irina Vlah
Ndërkaq, Kryetarja e partisë pro-ruse, “Zemra e Moldavisë“, Irina Vlah, e quajti vendimin “abuziv” dhe “një spektakël politik të përgatitur prej kohësh nga pushteti”.
“Ne kemi bërë thirrje të shumta për të denoncuar krimet që po kryheshin kundër nesh, por nuk pati asnjë reagim. Kjo e konfirmon se javët e fundit është zbatuar një skenar kundër nesh,” shkroi ajo në një deklaratë në Facebook.

Një ditë më parë, Vlah u ndalua të hynte në Letoni, Estoni dhe Poloni, të cilat e akuzuan për “ndihmë ndaj Federatës Ruse në ndërhyrjen në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare”.

Frikë nga tensionet dhe ndërhyrjet
Vendimi i Komisionit pritet të rrisë tensionet në një vend tashmë të polarizuar, ku autoritetet paralajmërojnë se Rusia po shpenzon qindra miliona euro për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve përmes blerjes së votave dhe nxitjes së trazirave.
Moska i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përzierje. Ministria e Jashtme ruse e cilësoi të enjten këtë si “anti-ruse” dhe “pa bazë”.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Oakland, Cristian Cantir, tha se ndalimi mund të përdoret nga partitë pro-ruse për të pretenduar diskriminim politik dhe për të mobilizuar mbështetësit.
“Sidoqoftë, nëse kundërshtarët politikë shkelin ligjin dhe ndihmojnë planet e Kremlinit për të minuar Moldavinë, reagimi institucional është i domosdoshëm për të mbrojtur sigurinë dhe demokracinë e vendit,” u shpreh ai.
Gjithashtu, Cantir paralajmëroi se kjo situatë do të shfrytëzohet nga grupet pro-ruse si “provë e përndjekjes politike”, duke intensifikuar retorikën e tyre në prag të zgjedhjeve./KosovaNews/


