Luka Modriç ka njoftuar se do të largohet nga Real Madrid pas përfundimit të Kupës së Botës për klube këtë verë.
Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, tridhjetë e nëntë vjeçari kroat ka bërë të ditur se të shtunën do të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
“Çdo gjë në jetë ka një fillim dhe një fund… të shtunën do të luaj ndeshjen time të fundit në ‘Santiago Bernabeu’. Po largohem me një zemër të mbushur: me krenari, mirënjohje dhe kujtime të paharrueshme. Kam përjetuar momente të jashtëzakonshme, rikthime të pamundura, finale, festa dhe net magjike në Bernabeu. I fituam të gjitha dhe jam shumë i lumtur. Shumë, shumë i lumtur”, ka shkruar Modric. “Dhe edhe pse pas Kupës së Botës për Klube nuk do ta vesh më këtë fanellë në fushë, gjithmonë do të jem tifoz i Real Madrid”.
Mesfushori kroat i ishte bashkuar gjigantit spanjoll në vitin 2012 nga Tottenham Hotspur për një shumë prej rreth 35 milionë eurosh. Fillimi i tij me “Los Blancos” nuk ishte i lehtë, por me kalimin e kohës, kroati u shndërrua në një nga mesfushorët më të mirë në botë, duke regjistruar afër 600 paraqitje me fanellën madrilene. Gjatë qëndrimit të tij në Madrid, ai fitoi gjashtë herë Champions League, katër tituj të LaLiga dhe shumë trofe të tjerë. Në vitin 2018, ai u shpërblye me “Topin e Artë”, duke u bërë lojtari i parë që e ndërpreu dominimin dhjetëvjeçar të Ronaldos dhe Messit, falë paraqitjeve mbresëlënëse me Real madrid dhe me Kombëtaren e Kroacisë, e cila arriti në finalen e Kupës së Botës në Rusi.