Ministria e Kulturës ka reaguar ndaj deklarimeve të ish-ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila ndër të tjera tha sot (01.05.2025) se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, e as Ministria e Kulturës nuk e kishte siguruar përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse për Qendren Historike të Prishtinës.MKRS e ka quajtur dezinformim të radhës reagimin e ish-ministres Dumoshi.
“Kur edhe ky pseudoargument doli nonsens, ish ministra që vijnë nga subjekti i njëjtë politik, sot e bënë një deklarim publik të radhës vetinkriminues por që, për fat të mirë të trashëgimisë sonë kulturore e edhe të vet atyre, është i gabuar”- thuhet në reagim.MKRS ka thënë se regjistrimi në kadastër i këtyre aseteve, megjithëse është përcaktim ligjor në Ligjin për Trashëgimi Kulturore, nuk e kushtëzon zbatimin e regjimit ligjor mbrojtës për asetet dhe zonat mbrojtëse të trashëgimisë kulturore.
“Sipas kësaj logjike, ministrat (sigurisht këtu edhe z. Kujtim Shala dhe znj. Vlora Dumoshi) sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e departamentit për trashëgimi kulturore dhe drejtorët e prokurimit në MKRS, duhen ndjekur penalisht, denohen e burgosen sepse paskan dëmtuar buxhetin për asete që nuk kanë status të mbrojtjes”- ka deklaruar MKRS.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në reagim bënë thirrje për respektim të ligjit dhe pajisje me leje për punimet në sheshin “Xhorxh Bush”“Respektoni ligjin, parimet e konservimit duke përfillur rekomandimet e IKMM-së, pajisuni me leje dhe mos kërkoni fajtor aty ku nuk ka, madje duke vetinkriminuar vetën”- thuhet në reagimin e MKRS.Dumoshi nga ana e saj ka theksuar se objektet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e trashëgimisë, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, regjistrohen nё Agjencionin kadastral dhe gjeodet tё Kosovës, nё tё dyja nivelet; qendror dhe lokal.
“Prandaj, edhe përkundër angazhimit tim , qoftë në Komunë dhe më vonë në Ministri që të përfshihet nën mbrojtje Qendra Historike e Prishtinës, po rezulton se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e paska proceduar këtë çështje ashtu siç e kërkon Ligji, pra nuk e ka përcaktuar perimetrin e zonës mbrojtëse për këtë aset”- ka kishte shkruar ndër tjera, Dumoshi.
KALLXO.com raportoi të martën, më 29.04.2025, se Inspektorati për Trashëgimi në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dalë përsëri në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, duke vendosur shirita për ndërprerje të punimeve.Në anën tjetër kryetari Përparim Rama, më 30.04.2025, deklaroi se punimet janë duke vazhduar dhe se ky Projekt do të realizohet.Ministri në detyrë i Financave,
Hekuran Murati, më 30.04.2025 akuzoi Komunën e Prishtinës se kontrata për sheshin “Xhorxh Bush” është nënshkruar kundërligjshëm, pa pasur Komuna buxhetin e mjaftueshëm.Ideja për ta kthyer rrugën “Xhorxh Bush” në një hapësirë më të gjerë për këmbësorë dhe çiklistë u propozua për herë të parë në vitin 2019. Atëherë kompania britanike “Mott MacDonald” zhvilloi Planin 12-vjeçar të Mobilitetit për Kryeqytetin, gjatë mandatit të ish-kryetarit Shpend Ahmeti.