Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i konsideron të pabazuara dhe manipulative pretendimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, se qeverisja qendrore po i bllokon dhe ndalon projektet kapitale të Komunës. Ministria e Kulturës sqaroi se Komuna po tenton të paraqesë zbatimin e ligjit si pengesë politike, kur në të vërtetë është vetë ajo që ka vepruar në kundërshtim me ligjin për trashëgiminë kulturore dhe ligjet e tjera, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke cenuar interesin publik.
Ministria ka qenë vazhdimisht e sfiduar nga veprimet e njëanshme të Komunës, përfshirë projektet e sheshit “Xhorxh Bush”, “Ishulli Urban”, Rrugën “Rexhep Luci”, dhe projektin te Rruga “Agim Ramadani”. Ministria ka ngritur gjithashtu një kallëzim penal ndaj Komunës për ndërhyrje të paligjshme në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
Në përgjigje të një kallëzimi penal të Komunës ndaj inspektorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj, Ministria ka paralajmëruar kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm dhe ka kundërshtuar dorëheqjen e drejtorit të ITK-së, Imer Hakaj, duke theksuar se puna e tij është bërë brenda mandatit dhe në përputhje me ligjin.
Ministria gjithashtu ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar për lidhjen e një kontrate mbi 6.5 milionë euro, pa leje, dhe për pagesa të paligjshme.
Për detaje të mëtejshme, Ministria e Kulturës fton mediat në një konferencë për media, të enjten (10.04.2025), në orën 11:00 në Ministrinë e Kulturës.