Misioni i SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka shkruar për takimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me ambasadorin Robert Wood. Në njoftim thuhet se është diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ambasadori Wood u nderua të priste Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani – e cila ishte në Nju Jork për të mbrojtur çështjet e grave, paqes dhe sigurisë…Ambasadori Wood shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën”, thuhet në njoftim.
Për takimin njoftoi dje edhe presidentja Osmani.
“Në Selinë e Misionit të Përhershëm të SHBA-së në Kombe të Bashkuara, në takim me Ambasadorin Robert Wood kishim sot një diskutim përmbajtësor dhe produktiv për sukseset e Kosovës si dhe për rëndësinë e bashkërendimit të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe sigurisë në rajon. 🇽🇰🇺🇸“, shkroi ajo.


