Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet sot paradite ku është shqyrtuar Strategjia e Sigurisë së Kosovës 2022-2027, të cilin e prezantoi kryeministri, Albin Kurti.
Pas një debati të zhvilluar mes deputetëve për dhe kundër kësaj strategjie, ajo doli në votim.
Kryekuvendari Glauk Kojufca kumtoi rezultatin e votimit dhe bëri të ditur se Kuvendi me shumicë votash e miratoi strategjinë në fjalë.
Nga gjithë deputetët e pranishëm në votim morën pjesë 61 deputetë, prej të cilëve 60 votuam për, një ka qenë kundër dhe asnjë abstenim.
Edhe pse të pranishëm në sallë dhe diskutuan lidhur me Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027, deputetët e opozitës nuk morën pjesë fare në votim.
Kryeministri Albin Kurti në paraqitjen e strategjisë ka thënë se ky dokument është ombrellë e sektorit të sigurisë që njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Republikës së Kosovës.
“Kjo strategji do të prodhoj plane dhe dokumente që lidhen me sigurinë kombëtare, publike, mbrojtjen dhe diplomacinë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE.
“I kemi dhënë vëmendje institucioneve të sigurisë, kemi rritur buxhetin e FSK për 52%. Kemi ndarë buxhetin më të lartë në historinë e FSK-së. Ky buxhet është vendosje e një standardi të ri për trajtimin e Forcave të Armatosura dhe çështjeve të sigurisë. Kemi treguar seriozitetin me të cilin e shohim sigurinë në vend. Buxhetit të rritur për ushtrinë po i shtohen edhe mjetet e dhuruara në Fondin e Sigurisë nga qytetarë anë e kënd botës”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se krahas rritjes së buxhetit të FSK dhe krijimit të Fondit të Sigurisë kemi përshpejtuar blerjet ushtarake, kemi krijuar linja të reja të furnizimit me sisteme të armatimit.
“Kemi themeluar grup punues për anëtarësim në NATO. Ne synojmë anëtarësim sa më shpejt në PPP dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë të sigurisë. Po punojmë për aplikimin e Kosovës për statusin kandidat në BE”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë pas votimit Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00, kur pritet t’u kthehet punimeve për të shqyrtuar pikat tjera të rendit të ditës./KosovaNews/


