Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023.
Në gjetjet kyçe të këtij raporti është thënë se mungesa e bashkëpunimit mes palëve dhe mospajtimet brenda shumicës parlamentare, kanë qenë sfida për reforma.
Po ashtu është përmendur bojkotimi i Kuvendit nga Lista Sërpska. Por, është thënë se në periudhën raportuese janë parë disa arritje të rëndësishme ligjore, përfshirë edhe reformat elektorale.
Për dialog është thënë se Kosova ka mbetur në përgjithësi e angazhuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të dëshmojë më tepër përkushtim serioz, të investojë më tepër kohë dhe të bëjë përparime për të çuar para procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Kosova duhet të mbajë zotimet e saja të dialogut dhe të angazhohet në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin e zbatimit të saj. Kosova dhe Serbia pritet të angazhohen në mënyrë më konstruktive për të mundësuar që të fillojnë negociatat për Marrëveshje të normalizimit gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme dhe për të treguar fleksibilitet në mënyrë që të bëhet përparim i shpejt e konkret. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht esencial për rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në mungesë të raportit”, thuhet në gjetjet ndër të tjera.
Po ashtu në raport është thënë se situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza të intensiteteve të ndryshme, ndërsa është thënë se sulmi i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023, përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit. U tha se sasi të mëdha të armëve janë gjetur në lidhje me sulmin.
“BE-ja pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejtë para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të marrë gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, është thënë në raport.
Po ashtu është përmendur edhe çështja e targave si dhe tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës që ndodhën në nëntor të vitit 2022 dhe mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill të vitit 2023.
“Përkundër Marrëveshjes së madhe në rrugën drejt normalizimit të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe Aneksin e zbatimit të tij të dakorduar në Ohër më 18 mars, dhe përkundër se Kosova zgjati afatin për regjistrim të kandidatëve për zgjedhjet në veri, jo të gjitha partitë dhe komunitetet përdorën të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Dalja shumë e ulët (3.47 për qind), pas bojkotit nga serbët e Kosovës, tregoi se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike për ato komuna. Mbetet imperativ që të rikthehet një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, të organizuar në mënyrë të plotë e gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.
Lajmi në përditësim..


