Komisioni për legjislacion ka miratuar Projektligjin për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Këtë e bëri të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili tha se ky Projektligj përcakton themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit për Krimet të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, raporton KosovaNews.
Projektligji parasheh themelimin e institutit me qëllim të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999. Gjithashtu, parashihet që Instituti të jetë agjenci në kuadër të Zyrës së kryeministrit, i udhëhequr nga një drejtor ekzekutiv, të cilin e emëron kryeministri i Republikës.
Rrustemi theksoi se miratimi i këtij projektligji, ka për synim që të adresoj çështjet si në vijim:
– themelimin dhe funksionimin e Institutit për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë;
– përcaktimin e rregullave themelore për ushtrimin e veprimtarisë me qëllim të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë;
– definimin e kompetencave dhe përgjegjësive të këtij mekanizmi.