Kuvendi i Kosovës i ka miratuar 47 amandamente të projekt-rregullores së re të këtij institucioni.
Për këtë projekt-rregullore votuan 81 deputetë për, kurse nuk pati asnjë kundër apo abstenim.
Kryeparlamentari i përgëzoi deputetët për këtë çështje, teksa njoftoi se seanca do të vazhdojë të premten.
Të enjten, deputeti i LVV-së Adnan Rrustemi i ka lexuar edhe ndryshimet kryesore që i sjell projekt rregullorja.
“Përcakton procedurat për seancën konstituive të Kuvendit në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 duke sqaruar procedurat e kryesimit të seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit, përcakton mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve, përcakton procedurën e nominimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, sqaron momentin e konstituimit të Kuvendit me zgjedhjen e kryetarit edhe nënkryetarëve”, tha ai.
Sipas tij, rregullorja përcakton edhe çështjen e betimit të deputetëve.
“Sqarohet roli i kryetarit të Kuvendit për thirrjen e seancës plenare dhe propozimin e rendit të ditës për seancën plenare në rast të mungesës së kuorumit në kryesi të Kuvendi. Përcakton përgjegjësinë e deputetit për të marr pjesë në punime të Kuvendit pa e kufizuar mandatin e lirë të përcaktuar në Kushtetutë”.
Rrustemi tregoi se kjo rregullore mundëson që me akt të veçantë të nxjerr nga Kryesia e Kuvendit, të përcakton kushtet dhe mënyrat e administrimit të pjesëmarrjes dhe të kompensimit të pjesëmarrjes së deputetit në mbledhje të grupit punues, komisionit apo seancës plenare.
“Zgjerohet koha për deklarimet e deputetëve nga 30 në 40 minuta, duke u dhënë më shumë kohë deputetëve dhe grupeve parlamentare të shprehin qëndrimet e tyre ndaj zhvillimeve politike dhe të adresojnë shqetësimet e qytetarëve”, tha Rrustemi.
Ai shtoi se përmes kësaj rregullore, mundësohet edhe organizimi i seancave të veçanta për pyetje parlamentare në rastet kur ka numër të madh të pyetjeve parlamentare dhe një gjë e tillë vlerësohet nga kryesia.