Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar të martën me shumicë të votave Ligjin për Noterinë.
Ky ligj doli në votim gjatë seancës së dytë të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës.
Votimi është bërë me 63 vota për, ndërsa nuk pati asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
E pas votimit në Kuvend ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se mirëpret votimin e sotëm dhe së shpejti do të hapet konkursi që të qytetarët të marrin shërbimet noteriale nëpër vendet ku s’ka të tillë.
“Mirëpres votimin në lexim të dytë të Ligjit për Noterinë. Janë 17 komuna pa noterë. Ky ndryshim do të mundësojë që qytetarët të marrin shërbimet noteriale në vendet ku jetojnë. Pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës lidhur me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe transparencës, do të shpallë konkursin e ri për noterë”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social./KosovaNews/


