Me 86 vota për, u miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “FISKALIS”.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi prezantoi projektligjin me ç’rast tha se përmes kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare do të përfitohen praktikat më të mira për administratat tatimore.
“Ky program ka për qëllim bashkëpunimin mes autoriteteve të administratave tatimore. Do të përfitohen praktikat më të mira për administratat tatimore duke synuar kështu edhe zbatim të drejtë të MSA-së për fushat që lidhen me Administratat tatimore. Kontributi i Kosovës pritet të jetë 91 mijë euro”.
Po ashtu, me 86 vota për u miratua edhe Projektligji për marrëveshjen ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrje të Kosovës në programin DOGANA të BE-së.
Bislimi tha se Kosova do të kontribuojë vetëm me 99 mijë euro, kurse 80% e financon BE-ja.
“Si vazhdimësi ky program mbështet bashkëpunimin e autoriteteve doganore për vendet kandidate për BE dhe potenciale për kandidate. Komisioni evropian nëpërmjet fondeve të IPA-s do ta financojë 80 për qind të shumës. Kontributi i Kosovës do të jetë 99 mijë euro për pjesëmarrjen e personelit të doganës në seminare trajnime e aktivitete të tjera”.


